Profesori universitar Milazim Krasniqi ka dhënë një propozim për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e fundit dhe për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
Krasniqi tha në Frontal të T7 se “Qeveria nuk ka ndonjë nguti të madhe”, ndërsa propozoi një moratorium për 6 muaj për çështjen e targave të automjeteve.
“Me dashamirësinë më të madhe, si qytetar i këtij vendi, kam propozuar që Qeveria jonë edhe për hatër të amerikanëve është dashur ta shpallë një moratorium në këtë çështje për 6muaj. Dhe për 6 muaj me e heqë prej rendit të ditës këtë çështje” , tha ai.
Krasniqi beson se pasë 6 muajsh do të ndryshojë situata. Serbia, sipas tij, mund të izolohet nga Perëndimi nëse vazhdon të qëndrojë krah Rusisë.
“S’do të ishte problemi i njëjtë pas 6 muajsh. A e di pse? Sepse Serbia pas 6 muajsh nuk do të jetë e njëjtë. Të gjithë indikatorët janë që Serbia brenda 6 muajsh nuk do të mund të ulet në 2 karrige. Ajo do të detyrohet ose të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të bëhet me Perëndimin, ose do të shkojë plotësisht me Rusinë dhe do të izolohet nga Perëndimi”, thotë ai.
Krasniqi tha se “me një moratorium të tillë do të shkarkohej presioni dhe pastaj do të duhej të fillonte një dialog i brendshëm me serbët”.