Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen në Gramsh, ku është shprehur se ushtarakë neutralizuan 3 individë të dyshuar për spiunazh.
Në reagimin e tij, Rama nuk ka lënë pa sulmuar edhe opozitën.
Ai thotë se është trishtim që edhe për ngjarje delikat, “gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël”.
“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan 3 individët e dyshuar për spiunazh. Shërim të shpejtë të lënduarve dhe tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje!”, shprehet Rama.
Incidenti në Uzinën e Gramshit, ka ndodhur rreth orës 17:40 pasi roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit, pasi një nga shtetasit rusë ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi.
Të 2 efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë, por ai është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues, shkruan Euronews Albania.
Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç. Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec.