Deputeti shqiptar në Mal të Zi, Genci Nimanbegu, ka thënë se me shumë gjasa sonte do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviqit në Mal të Zi.
“Të gjitha gjasat janë që sonte do votohet fundi i qeverisë së Abazoviqit dhe sigurisht priten mandej negociata se në çfarë forme do të ecë qeverisja e ardhshme. I gjithë debati është duke ecur në atë drejtim. Edhe vetë Abazoviq si duket është i përgatitur pasi që është duke përmendur se 51 deputetë do të votojnë këtë mocion”, tha Nimanbegu.
“Sipas të gjitha gjasave, ofertën që ua ka nisur partive me të cilat po negocion është e pranuar për Fronin Demokratik, por jo edhe për Malin e Zi Demokrat, e cila vazhdimisht deklaron se do të votojnë për rrënimin e kësaj qeverisje”.
“Nëse jo sot, çdo rekonstruktim do të jetë një “dhunim” i demokracisë”, u shpreh ai.
“Nuk duhet harruar se vetë Abazoviq ka ardhur deri në këtë pikë që të votohet mosbesimi i partisë së tij, dhe kjo është rezultat i punës së tij dhe hapave të cilët i ka marrë“.
Megjithatë, Nimanbegu tha se ai do të abstenojë në mocionin e mosbesimit, pasi tha se çdo herë kanë pasur mbështetje për njëri-tjetrin, shkruan Klan Kosova.
“Çdo herë kemi pasur mbështetje për njëri-tjetrin, dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse unë personalisht e kam shumë të vështirë të votojë mocionin që të hedhet kjo qeveri”.