Dita Botërore e Fotografisë shënohet çdo vit, për të nderuar njerëzit, kudo në botë, që shprehin dhe i bartin ndjenjat e tyre përmes artit të fotografisë. Shkruan InLajmi.

Në fushën e artit fotografik, ndër shqiptarë është i njohur Gjon Mili, një korçar i cili migroi e jetoi në SHBA.
Veprimtaria artistike e fotografit Mili përfshin me sukses shumë zhanre të fotografisë si peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve (teatër, kinema, koncerte, vallëzime etj.), sportive, eksperimentale etj.
Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski, dramaturgun Sean O’Kejsi, piktorin Brak, pianistin Rubinstein, dramaturgun Jonesko, violonçelistin dhe dirigjentin Kazals, piktorin Matis, këngëtaren Zhyljet Greko, aktoren Helen Vajgel, këngëtarët Frank Sinatra dhe Pol Robson etj.
Po ashtu, ai ka fotografuar politikanë të njohur të kohës si Presidentin Truman, Ministrin Molotov, Lordin Halifaks e shumë të tjerë.
Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.
Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju Jorkut u paraqiten punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmin e fotografisë dhe filmit.
Historia e fotografisë
2 francezet, Nicephor Niepce dhe Louis Daguerre njihen si zbuluesit e fotografisë. Ata zhvilluan tekniken e parë dhe procesin kimik i cili mundësonte ruajtjen e pamjeve. Mandej pasuan me dekada zhvillimet teknike. Me prezantimin e parë të aparatit Kodak në vitin 1889 ky zhvillim arriti një pikë, të cilën qenësisht e mban deri me sot. Vetëm elektronika dhe digitalizimi kanë sjellë një metode të re fotografike.
Fotografia është teknika e regjistrimit dhe gjenerimit te imazheve permanente duke kapur dhe rezervuar stimujt fizikë në një shtresë materiali fotosensitiv. Kjo përfshin regjistrimin e dritës të reflektuar nga një objekt në një material të ndjeshëm nëpërmjet një ekspozimi me një kohë të caktuar./InLajmi/





















