Së paku 20 persona u lënduan pasi një grup pasagjerësh hapën dyert e një treni që po kalonte në një zonë të përfshirë nga zjarri në Valencia, në lindje të Spanjës.
Zyrtarët nga Valencia theksuan se treni po kalonte nëpër një zonë në distriktin Caudiel, në Castellon, të përfshirë nga zjarri, ndërsa 20 pasagjerë u plagosën.
Makinisti, i cili vuri re flakët që përhapeshin drejt hekurudhës, ndaloi trenin dhe u përpoq të kthehej prapa. Më pas një grup pasagjerësh hapën derën dhe u përpoqën të hidheshin nga treni, duke bërë që flakët dhe tymi të hynin në vagon.
Shumica e pasagjerëve kanë ndjerë efektet e tymit dhe 3 persona kanë marrë djegie të rënda.
Treni u largua nga zona dhe u kthye në stacionin Caudiel, raporton Anadolu Agency (AA).
Më shumë se 26 avionë dhe helikopterë janë përfshirë në shuarjen e zjarrit në Valencia.