Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.
Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Stoltenberg ka thënë se situata në terren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.
I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.
“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”,
ka thënë Stoltenberg.
Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës – me rreth 4.000 trupa – flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia e respekton misionin e KFOR-it.