Nisja e një pune të re është gjithmonë stresuese, aq më tepër nëse është puna juaj e parë. Ambjenti i ri, njerëz të rinj, përgjegjësi e re dhe gjithçka tjetër e bëjnë paksa të vështirë fillimin apo ndërrimin e një pune të re.
Le të marrim skenarin më të keq. Pas pak kohësh, ju kuptoni se vendi i punës është toksik. Ju duket sikur keni ngecur atje, asgjë nuk shkon, por nga ana tjetër s’hiqni dot dorë kaq shpejt. A ka ndonjë opsion tjetër për t’i shpëtuar ambientit toksik pa qenë nevoja të lini punën?
Ekspertët thonë se duhet t’i besoni intuitës suaj: kur ndjeni se diçka nuk shkon, apo si fizikisht dhe emocionalisht nuk ndiheni 100% vetja. Nëse ndjeni që energjia juaj po mbytet, sigurisht që ka diçka që nuk shkon si duhet.
Gjithsesi çfarë mund të bëni ju është të shihni sesi kontributi që jepni perceptohet në atë vend pune. Nëse fillimisht kolegët ju mbajnë jashtë bisedave, apo e minimizojnë fare opinionin tuaj me të drejtë mund të ndiheni keq, por mos mendoni se do të jetë gjithmonë kështu.
Filloni ta shihni punën nga perspektiva e tyre.
Bëni mirë të bëni një studim të përgjithshëm të filozofisë së kompanisë, të kolegëve, shefave, etj, për të mësuar sesi të silleni në vijim. Mbani një lloj distance dhe një nivel minimal mirësjelljeje. Ndërveprimi i pakët mund t’ju bëjë të kuptoni më shumë në afatgjatë. Vini re çfarë nuk shkon në punën tuaj. Qëndroni të fokusuar tek detyrat dhe përgjegjësitë pasi vetëm kështu mund të shpërbleheni me plot kuptimin e fjalës.
Nëse vini re që ai vend pune ka probleme edhe me shlyerjen e pagave apo mungesën e motivimit, bëni kërkimet tuaja dhe shtrojeni si problem serioz me menaxherin apo shefin që ju drejton. Jepini vlerën tuaj atyre dhe shprehjani në sy se ndiheni të pavlerësuar, shkruan Living Shqip.
Prioriteti juaj duhet të jetë ajo çfarë ju bën të lumtur. Merruni me gjërat dhe punët që i bëni me pasion dhe ju japin forcë për të vazhduar para gjatë ditës së punës. Nëse keni kuptuar çfarë ju pëlqen më shumë kërkoni më shumë përgjegjësi në atë fushë. Përcëkto me veten se çfarë ësht më e rëndësishme për ty dhe shmang bisedat pa vlerë me kolegët. Mos u merrni me asgjë që nuk ju vlen për punën dhe qëndroni larg thashethemeve, sidomos në ditët e para të punës.