Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, ka reaguar për reduktimet e energjisë elektrike ndërsa për këtë fajtor sipas tij është Qeveria e Kosovës, raporton InLajmi.
Sipas tij Qeveria e Kosovës është e paaftë dhe e papërgjegjshme pasi po manifestohet vetëm keqmenaxhim dhe asgjë më shumë.


Tutje Nikaj, ka thënë së përkeqësimi i situatës më energjinë elektrike mund të rritet akoma më shumë gjatë stinës së dimrit.
“Fatkeqësisht, në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, siç është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili, për faktin që po ndodhë tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, tha ai.
Nikaj fajtor për situatën e energjisë nuk e ka lënë “Korporata Energjetike e Kosovës pasi sipas tij gjithmonë kjo ishte e njëjta, por fajtor këtu është qeveria pasi nuk ka as plan e as guxim ta marrë komanden në dorë.
“Korporata Energjetike e Kosovës është po e njëjta Korporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrin të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që me 15 gusht të 2022-tës, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut. Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si me menaxhu sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, theksoi Nikaj.
Deputeti ka thënë së krizat e energjisë elektrike janë paralajmëruar që nga vjeshta e vitit të kaluar po që nuk janë marrur parasysh nga Qeveria e Kosovës, dhe prap këtë vit është paralajmëruar e njëjta gjë por që prap kanë hasur në vesh të shurdhër.
Ai ka thënë së vera po mbyllet me terr e njejtë do të na zë edhe dimri pa ngrohje dhe me çmime të larta.
“Edhe vjeshtën e vitit të kaluar, në vazhdimësi kemi paralajmëruar për sfidat e furnizimit me energji gjatë dimrit. Këto paralajmërime ranë në veshë të shurdhër të qeverisë aktuale e cila nuk ndërmori asgjë por thjeshtë, e injoroi situatën. Edhe këtë vit, ka më shumë se 2 muaj që kemi paralajmëruar thellimin e krizës energjetike dhe kemi rekomanduar se çfarë veprime duhet të ndërmerren. Përsëri, Qeveria s’ka bërë asgjë, përveç që së voni ka filluar ta konfirmoj atë që e kemi thënë ne më herët se ky dimër do të jetë edhe më i rëndë se dimri i kaluar. Edhe sot na duhet ta theksojmë se dimri po vjen dhe nëse vera po përmbyllet me terr, atëherë dimri do të na gjejë me terr, por edhe pa ngrohje dhe me çmime të larta. Dhe fajin për këtë krizë e ka vetëm Qeveria”, tha Nikaj. /InLajmi/




















