Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i është drejtuar kryeministrit të vendit Albin Kurtit duke i kërkuar që të tërhiqet nga posti i tij për shkak të keqqeverisjes që ka treguar deri tani, përcjell InLajmi.
Sipas Haradinaj, parametrat e qeverisjes së Kurtit janë jo vetëm të dëmshëm, por edhe të rrezikshëm për vendin.
Tutje ai thekson se kjo qeverisje e ka vendosur në gjunj ekonominë e vendit, e ka ndarë shoqërinë si me thikë dhe në rrafshin fetar ka nxitur tema që rrezikojnë tolerancën fetare.
Deputeti i thotë Kurtit se nuk duhet ta bëjë llugë as çështjen e dialogut me Serbinë, duke i shtyrë ata që të nënshkruajnë një dokument për mossulmim, e që kjo sipas Haradinaj është nënshkruar në vitin 1999 dhe Kosova nuk duhet të rikthehet më aty, por duhet të insistohet për njohje të ndërsjellë.
Postimi i plotë i tij:
Po ju drejtohem juve Albin Kurti, kryeministrit të vendit tim,
Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq.
Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin:
Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë;
Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar;
Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit;
Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit;
Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore;
Shtresen e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale;
Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero;
Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katastrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër.
Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më.
Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit. /InLajmi/