Para disa ditësh gjykatësi i Procedurës Paraprake ia refuzoi kërkesën për lirim ish-deputetit të Vetëvendosjes, “10-shit” të UÇK-së, Rexhep Selimi.
Ky i fundit nuk po pajtohet me një vendim të tillë, andaj para pak ditësh është ankuar në lidhje me të.
Në ankesën që e ka bërë Selimi në Apel, përmes avokatit të tij David Young, thuhet se gjykimi nuk pritet të fillojë para 2023-ës.
Avokati Young ka thënë se veç për dëshmitarët e prokurorisë, që janë 326, duhet vite të tëra process për t’i dëgjuar.
“Selimi ka më shumë se 18 muaj që është i paraburgosur në objektet e paraburgimit të QSK-së. Edhe pse ende nuk është caktuar një datë për gjykim, është e qartë se ai nuk do të fillojë më herët përpara vitit 2023, duke pasur parasysh datën për përfundimin e publikimit të Rregullës 102(3) nga Prokuroria deri në fund të shtatorit 2022 dhe depozitimin e Shqyrtimit të procedurës paraprake mbrojtëse deri më 21 tetor 2022. Gjykimi i vetëm për çështjen e Prokurorisë, bazuar në kohëzgjatjen e pritshme të dëshmisë së 326 dëshmitarëve të listuar, pritet të zgjasë disa vite, gjatë të cilave pritet që z. Selimi të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim”, ka thënë Young në parashtresën e tij, shkruan lajmi.net.
Në fund të kërkesës së tij, Young ka kërkuar që Selimi të lirohet menjëherë.