Në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Rinisë”, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka realizuar një takim me të rinj të suksesshëm në fushën e arsimit, përcjell InLajmi.
Osmani tha se këta të rinj po e dëshmojnë vazhdimisht përgatitjen dhe talentin e tyre në gara ndërkombëtare duke e vënë Kosovën në ballë të këtyre arritjeve.
Gjithashtu presidentja theksoi se pavarësisht kufizimit në lëvizje, të rinjtë tanë po e dëshmojnë se e meritojnë të ndjehen të barabartë me moshtarët e tyre anekënd Evropës.
Postimi i plotë i saj:
Rinia është fryma dhe themeli i Republikës sonë, prandaj në Ditën Ndërkombëtare të tyre, Presidenca ishte e nikoqire e disa prej të rinjve tanë të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit.
Matematicientët, juristët e shkencëtaret tanë të rinj po dëshmojnë vazhdimisht përgatitjen dhe talentin e tyre në gara ndërkombëtare duke e vënë Kosovën në ballë të këtyre arritjeve.
Pavarësisht kufizimit në lëvizje, të rinjtë tanë si Andi, Arbeni, Arti, Besforti, Duarti, Ernesa, Endriti, Leka, Rinori, e shumë të tjerë, po dëshmojnë se me përkushtim e zell mund të arrihen suksese të mëdha përtej kufijve tanë dhe se meritojnë të ndjehen të barabartë me moshatarët e tyre anekënd Evropës. /InLajmi/