Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, akuzon kryeministrin Albin Kurti se po amniston të korruptuarit. Sipas Haxhiut, abuzime e keqpërdorime ka pasur edhe në SHSKUK, ato sipas tij, kanë ndodhur në furnizime mjekësore, furnizim me ushqim, sigurimin e automjeteve, karburant për vetura, furnizim me pastrim, sigurim fizik të objekteve etj.
“Kurti në vend se të kërkonte përgjegjësi dhe llogaridhënie nga Bordi i SHSKUK-së për mbi 12 milion euro korrupsion e keqpërdorime në SHSKUK, që auditori i prezanton në raportin për vitin 2021, ka takuar dhe u ka dhënë mbështetje atyre që zyra e auditori kombëtar iu gjeti abuzime e keqperdorime me miliona euro hajni që nga blerjet e barnave e pajisjeve mjekësore e deri në transport të kufomave”, tha Haxhiu.
Deputeti Haxhiu tha se ka pasur hajni e keqpërdorim deri edhe në procedurat e prokurimit për transport të kufomave për “Shërbime funerali Covid -19”.
Ai përmend edhe raportin e auditorit për SHSKUK në vitin 2021, ku thuhet se në 61 raste në vlerë 7 milion e 864 mijë euro, mungonte raporti i pranimit të mallit që do të duhej të përgatitej nga menaxherët e kontratave. Në 17 raste në vlerë 1 milion e 759 mijë euro, urdhër blerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit dhe faturës.
Haxhiu në “Lajmet e fundit” tha se gjatë pandemisë ka pas shkelje të shumta, është pranuar mall pa fatura e dihet se pa kontrata nuk mund të furnizohet askush. Ai pret që prokuroria të nisë hetimet për raste të shumta të keqpërdorimeve, të cilat sipas tij i ka përmendur edhe auditori.
Sa i përket krizës energjetike, Haxhiu tha se është e vërtetë se ka pas një neglizhencë të udhëheqësve të KEK-ut sa i përket remonteve dhe investimeve në KEK, që të jenë kapacitetet e plota për prodhimin e energjisë.
“Por tendenca për ta arsyetuara ngritjen e çmimit të energjisë me atë se ka krizë, do të ketë impakte”, tha Haxhiu