Një javë para takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku pritet të flasin tema tensionuese, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, s’e ka shmangur përdorimin e propagandës kundër Kosovës, duke shpifur se “Prishtina është duke u përgatitur për sulm në Veri për vrasjen e serbëve”.
Derisa Kurti fajësoi gjuhën e tillë të përdorur nga udhëheqësit serbë dhe lajmet e rreme në mediumet serbe se shkaktuan tensionet në veri, Bashkimi Europian s’ka dashur të komentojë mbi deklaratat e Vuçiqit.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se janë të përqendruar në organizimin e takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb.
“Si rregull i përgjithshëm, ne s’komentojmë mbi deklaratat e të tjerëve siç kanë raportuar mediat, ne jemi të fokusuar për përgatitjet e takimit të lartë në mes Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti në Bruksel, më 18 gusht, për lëvizur përpara dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të mirën e njerëzve si në Serbi, si në Kosovë”.