4 anije të tjera me drithëra u nisën nga portet ukrainase, Odesa dhe Chornomorsk si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar së fundmi në Istanbul.
Në kuadër të “Dokumentit të Iniciativës për Dërgesë të Sigurt të Drithërave dhe Mallrave Ushqimore nga Portet e Ukrainës” të nënshkruar në Istanbul nën kujdesin e presidentit Recep Tayyip Erdogan mes Turkiyes, Rusisë dhe OKB-së është vërejtur se nga portet Odesa dhe Chornomorsk janë larguar edhe 4 anije rreth orës 06:00-08:30 me kohën lokale.
Si rezultat i kontakteve të ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar dhe koordinimit në Qendrën e Përbashkët të Koordinimit në Istanbul mësohet se anijet “Mustafa Necatı”, “Star Helena” dhe “Glory” janë larguar nga porti Chornomorsk ndërsa anija “Riva Mind” nga porti i Odesës.
Anija “Fulmar S” që nga e shtuna pret e zbrazur në brigjet e Odesës
Ndërkohë anija pa ngarkesë “Fulmar S” me flamur të Barbadosit që u nis më 5 gusht nga porti Bandirma dhe e cila pritet të hyjë në portin Chornomorsk të Ukrainës që nga mbrëmë po pret në brigjet e Odesës.
Anija e ngarkesave të thata “Razoni” me flamurin e Sierra Leones që transportoi misër në Liban, u bë anija e parë që u largua nga Odesa më 1 gusht sipas marrëveshjes së korridorit për drithërat, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndërsa dje nga portet Odesa dhe Chornomorsk u larguan edhe 3 anije të tjera.




















