Paris Saint-Germain ka fituar me rezultat 0-5 si mysafirë i skuadrës së Elbasan Rashanit, Clermont Foot. Neymar (9), Hakimi (26), Marquinhos (38) dhe Messi (80, 86) ishin realizatorët e golave për PSG. Ishte një fillim spektakular për PSG që paralajmëron kundërshtarët se do të jetë një skuadër tjetër në sezonin e ri
Thjesht spektakular!
Kështu mund të cilësohet paraqitja e Paris Saint-Germain (PSG) sonte kundër Clermont Foot në ndeshjen e parë hapëse të këtij sezoni në Ligue 1.
Qysh në fillim të ndeshjes u pa që PSG kanë ardhur për spektakël dhe Neymar ishte i pari që rrezikoi portën e Clermont në minutën e7-të.
Nuk vonoi shumë dhe dy minuta më vonë Messi do të asistonte me thembër për Neymar për të shënuar golin e parë në këtë ndeshje.
Neymar tregoi cilësitë e tij edhe në golin e dytë. Pas një super aksion ai pasoi për Hakimin i cili shënoi golin e dytë në minutën e 26-të të ndeshjes.
Braziliani vazhdoi ta tregonte top formën e tij dhe këtë e bëri edhe në golin e tretë ku pas një ndërprerje asistoi për mrekulli për Marquinhos që shënoi gol të bukur me kokë në minutën e 38-të.
Pjesa e parë përfundoi me rezultat 0-3 për Parisin.
Në pjesën e dytë ishte koha për pak spektakël nga Messi. Argjentinasi po ashtu tregoi formë të lartë sonte dhe në minutat e fundit të ndeshjes arriti që të shënoi dy gola.
Megjithatë, aksioni më i rrezikshëm i Clermont ishte në fillim të pjesës së parë kur portën e Donnarummës e rrezikoi seriozisht Andric në minutën e 53-të.
Messi do të shfaqet i rrezikshëm në minutën e 69-të të ndeshjes me një goditje që përfundoi pak me lart shtyllës pingule të Clermont.
Argjentinasi do të shënonte gol pikërisht në minutën e 80-të të ndeshjes dhe asistues për të do të ishte Neymar. Braziliani pasoi të Messi e ku ky nuk e pati problem që ta realizonte golin e parë në ndeshje.
Dy minuta më vonë nga loja doli Elbasan Rashani. Kosovari u angazhua për 82 minuta në fushë por nuk ia doli të lërë gjurmë përballë yjeve të PSG-së.
Minuta e 86-të ishte e rezervuar përsëri për Messi, transmeton Gazeta Express.
Leandro Paredes bëri një super pasim për bashkëvendasin e tij Messi. Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë bën një ndalje spektakulare me gjoks për të shënuar një gol me gërshërë që ishte i pesti por më i bukuri i këtij takimi.