Subjekti politik i pakicave serbe në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe, kinse ka dënuar sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, Lista Serbe thotë se dënon çdo lloj kërcënimi të sigurisë së vendit, si dhe fton serbët në Kosovë të vetëpërmbahen, e “të mos bien në provokimet e Xhelal Sveçlës”, shkruan lajmi.net.
“Lista serbe dënon çdo lloj kërcënimi të sigurisë pa marrë parasysh se nga cila anë vjen, dhe u kërkon qytetarëve që të mos bien në provokimet e Xhelal Sveçlës dhe qeverisë nga Prishtina të cilët kërkojnë të paraqesin popullin tonë në veri si të këqij dhe të krijojnë një alibi për veten e tyre për ndërhyrje dhe ngacmim të dhunshëm të popullit serb, nga Shtërpca deri në veri të Kosovës dhe Metohisë”, thuhet në postimin e tyre.
“Në mjediset serbe nuk ka tensione dhe konflikte, dhe serbët me shqiptarët, boshnjakët, goranët, romët e të tjerë jetojnë në paqe, por kjo nuk i shkon për shtat Prishtinës që dërgon forcat speciale shqiptare të armatosura deri në dhëmbë pothuajse çdo ditë në mjediset e pastra serbe”, trasnemton Lajmi.net.
“Të nderuar qytetarë, duke kuptuar gjithçka që na ndodh prej javësh, duhet të ruajmë paqen dhe qetësinë, për të mbijetuar dhe qëndruar në këto zona dhe për këtë arsye ju bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje. Ne jemi në pjesën tonë dhe kështu do të mbetet”.