Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, i cili është edhe kryetar i Listës Serbe, pas takimit që pati me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, tha se ambasadori amerikan i’a ka dalë që ta ruajë paqen pasi ndikoi te institucionet e Kosovës që të shtyjnë zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Para se gjithash dua ta falënderoj ambasadorin amerikan, i cili edhe atë natë jo fizikisht por me telefon ka qenë në kontakt me të gjithë faktorët relevantë dhe ia doli që ta ruajë paqen dhe stabilitetin dhe të ndikojë te Prishtina ta ndryshojë vendimin e saj të njëanshëm dhe ka ndikuar te pala serbe t’i heqë barrikadat. Situata aktuale është e qetë, por e tensionuar”, ka thënë Rakiq për T7.
Rakiq foli prapë edhe për mundësinë e daljes nga Qeveria e Kosovës, duke thënë se mandatin atij nuk ia ka dhënë kryeministri Kurti, por qytetarët serbë.
“Se a do të dalim nga Qeveria do ta përsëris edhe një herë …mua dhe Listën Serbe s’na ka zgjedhur Kurti, por kuadri ligjor e thotë ashtu që pakica që fiton më së shumti mandate ka të drejtë ta ketë një ministër”.