OBSH ka ngritur alarmin se Ukraina po përballet me një emergjencë shëndetësore, pasi konflikti me Rusinë po zgjat dhe ndërhyrja e vetë këtij institucioni ndërkombëtar dhe organizatat humanitare po hasen çdo ditë e më shumë me barriera.
Sipas OBSH, stafet mjekësore po punojnë të mbingarkuar në kushte të mjerueshme dhe nën terror.
Deri më tani janë regjistruar 434 sulme mbi strukturat shëndetësore.
Koordinatorja e OBSH-së për Ukrainën, Heather Papovich tha se ekipet shëndetësore në shumë zona janë mësuar të punojnë me predha që bien jashtë dritareve të tyre
Papovich, e cila vizitoi Ukrainën javën e kaluar, tha se OBSH është më e shqetësuar për zonat që ekipet e saj nuk mund të hyjnë për shkak të luftimeve ose pushtimit rus, duke përfshirë rajonin lindor të Donbasit dhe Kherson në jug.
“ Çështja më e madhe është të kesh akses, kjo është ajo që na mban zgjuar natën ,” tha Papovich.
Kontrolli i sëmundjeve është gjithashtu një faktor shumë problematik. Ukraina ka mbulim të ulët vaksinal për fruthin dhe poliomielitin dhe janë ngritur shqetësime për rrezikun e shpërthimit të kolerës, shkruan Reporteri.
OBSH gjithashtu punon së bashku me sistemet kombëtare shëndetësore për të mbështetur shëndetin e refugjatëve që janë strehuar në vendet fqinje.