Për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet e tensionimi i situatës në veri, Kryeministri Kurti mori kritika të shumta nga opozita për mos menaxhim të duhur e mos koordinim me aleatët tanë për zbatimin e vendimit, ndërsa shefi i Qeverisë si kundërpërgjigje ndaj kritikave opozitare, tha se zbatimi i vendimit për reciprocitetin ka qenë i duhur dhe i koordinuar edhe me faktorin ndërkombëtar që vepron në Kosovë, raporton InLajmi.
Ndërkohë që për situatën e krijuar në veri të vendit, kryeministri akuzoi strukturat ilegale serbe atje, të cilat tha ai se janë përgatitur shumë më herët se sa të fillohet zbatimi i vendimit.
Në vazhdim të deklarimit të tij në Kuvend, Kryeministri Kurti arsyetoi vendimin e reciprocitetit, veprim të duhur për të ndryshuar situatën me tabelat që nga koha e Millosheviqit dhe në të njëjtën kohë edhe sigurinë e vendit, duke identifikuar se kush po hyn në Kosovë.
“Me këto vendime do të bëhet ndërrimi i tabelave që ishin nga koha e Millsoheviqit. Përveç kësaj e kemi pas vendim që duhet të ketë identifikim për qytetarët që duhet të hyjnë në Kosovë me identifikim të Republikës së Kosovës, i njëjti ishte në Qeverinë e Serbisë për kosovarët. Mbi 2 mijë dokumente i kemi lëshuar këtë kohë. Ne kemi pranuar nga ndërkmblateët ta shtyjmë këtë vendim për shkak të dezinformatës nga ana e Serbisë”, është shprehur Kurti, për të kujtuar më pas se para një viti kosovarët duhej të paguanin nga pesë euro për të hyrë në Serbi, ndërsa tani kjo gjë nuk ndodhë.
“Është folur për terrin që do t’u ndodh serbëve në veri, ku arritën që për pak kohë t’i ngritin nëntë barrikada. Ne me punë e angazhim e përmbyllëm mirë. E mbani mend që para një viti që kosovarët kur do duhej të kalonin Serbinë ka qenë dashur të paguanin pesë euro e tash nuk i paguajnë më”.tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti paralajmëroi se mund të ketë tensione edhe në të ardhmen me veprimet që do të merren për zbatimin e reciprocitetit, por tha se “Kosova nuk do të tërhiqet nga vendimet e saj”.
“Mund të ketë edhe tensionim edhe më tutje por ne jemi të vendosur që të shkojmë përpara dhe e kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve. Më datë 1 shtator do të nisë implementimi i këtij vendimi dhe e pamë që më 31 korrik janë në gjendje të bëjnë strukturat paralele serbe”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti u ndal pak edhe tek koha e qeverisjes Haradinaj, duke kujtuar kohën kur Milan Radojçiq ishte pritur në zyrë nga ish-kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, ndërsa theksoi se nuk ka nevojë që opozita të shet moral ngase i njeh mirë.
“Kryekrimineli (Radojçiq) që është atje në veri është pritur nga ish-kryeministri në zyrë të Qeverisë e tash ai ka fletarrest. Ky është dallim i madh, kështu që mos më shitni moral se ju njoh mirë”, ka thënë Kurti. /InLajmi/