Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ende nuk ka marr ftesë nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, për takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla për zhvillimet në veri, kreu i qeverisë kosovare, tha se me Vuçiqin është dashur të takohen më 19 korrik, takim për të cilin Kurti tha se e shtyu presidenti serb.
“Me presidentin Vuçiq është dashur të takohemi më 19 korrik, por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje, sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret, Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel”, është deklaruar kryeministri Kurti.
Kurti, tha se në momentin që do ta marr ftesën zyrtarisht, do ta bëj publike.
“Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi, në momentin që do ta kemi do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë”,tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë gjithashtu se Kosova është e gatshme për dialog parimor e të balancuar drejt një marrëveshje të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes 2 vendeve, raporton Klankosova.tv.
“Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke. Pra, gatishmëria nga ana jonë ekziston”, tha Kurti.