Zhvillimet e mbrëmshme në Kosovë e kanë tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. Një ndër to është edhe e famshmja britanike BBC, e cila i ka kushtuar një artikull tensioneve në veri.
Aty shkruhet se qeveria e ka shtyrë zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat.
“Rregullat do të hynin në fuqi në mesnatën e së hënës. Por të dielën serbët në veri bllokuan rrugët dhe njerëz të armatosur kanë shtënë me armë në shenjë proteste”.
“Zbatimi i vendimeve është shtyrë për një muaj pas konsultimeve me SHBA-në dhe BE-në. Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt 2008, gati një dekadë pasi u shkëput pas një lufte të përgjakshme që shtyri NATO-n ta bombardonte Serbinë”, shkruhet në artikull, transmeton KlanKosova.tv.
Tutje, theksohet se NATO e përshkroi situatën si “të tensionuar” pasi qindra serbë etnikë si barrikada përdorën kamionë, cisterna dhe automjete të tjera pranë 2 pikave kryesore kufitare me Serbinë në shenjë proteste ndaj rregullave të reja, duke detyruar policinë të mbyllë dy vendkalimet.