Forcat amerikane dhe rumune kryen stërvitje të përbashkëta në afërsi të Detit të Zi. Sipas zyrtarëve të Komandës Ajrore të NATO-s, kjo forcon kapacitetet për të reaguar në rast të një agresioni të mundshëm nga Rusia, pas tensioneve të rritura si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.
Forcat amerikane të dislokuara rishtazi në kufirin lindor të NATO-s zhvilluan të shtunën stërvitje të përbashkëta me njësitë rumune në një bazë ajrore pranë Detit të Zi. Vetëm 2 ditë më parë, Komanda Ajrore e NATO-s drejtoi një operacion dinamik me rreze të gjerë mbi qiejt e Rumanisë, ku u përdorën avionë rumunë F-16, avionë francezë Rafale dhe avionë gjermanë Tornado, të cilëve iu bashkuan avionët e grupit luftarak të aeroplanmbajtëses “USS Harry S. Truman” të marinës amerikane që është dislokuar në Detin Adriatik
Njësitë e Divizionit 101 Parashutist të ushtrisë amerikane morën pjesë në stërvitje luftarake, së bashku me formacione helikopterësh dhe avionësh luftarakë në bazën ajrore rumune “Mihail Kogalniceanu”, pranë qytetit bregdetar Konstanta.
Në fjalën e tij, komandanti i misionit përmendi historikun e këtij divizioni të mirënjohur për sakrificat për të ruajtur paqen që Evropa ka përjetuar që nga viti 1945, angazhim të cilit po i përmbahet sërish.
“Kjo ceremoni, dhe ç ‘është më i rëndësishëm dislokimi ynë në Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki përfaqëson angazhimin e Shteteve të Bashkuara me aleatët në NATO. Secili nga këto vende shërbeu përkrah Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe ne jemi të nderuar që shërbejmë përkrah tyre sot”, tha komandanti i divizionit amerikan, Gjeneral Major Joseph McGee.
Njësitë e Divizionit 101 mbërritën në Rumani në fund të qershorit, pjesë e një misioni që synon të rrisë praninë ushtarake të NATO-s në këtë rajon, për të siguruar aleatët dhe për të shkurajuar një agresion të mëtejshëm nga Rusia, thuhet në faqen në internet të Ushtrisë Amerikane në Evropë.
“Dua ta përfundoj fjalën duke vënë në dukje se jemi vetëm 318 kilometra nga lufta e ashpër që po zhvillohet sot në Kherson të Ukrainës. Pra, të dislokuar në Rumani, ne jemi njësitë e pozicionuara më në pararojë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara”, tha Gjenerali McGee, shkruan VOA.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s kanë shtuar forcat e dislokuara në vendet e krahut lindor të NATO-s, si reagim ndaj rritjes së forcave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës dhe sulmit që filloi në muajin shkurt.