Me 89 vota pro Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen e partneritetit për kornizën financiare me Komisionin Evropian për marrëveshjet dhe zbatimin e ndihmë financiare të unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit të para-anëtarësimit, IPA-3, raporton InLajmi.
Marrëveshjen e IPA-3 unanimisht e përkrahën të gjithë deputetët kurse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi duke folur për marrëveshjen në fjalë tha se qëllimi është krijimi i bazës ligjore që Kosova të përftojë nga fondet e BE-së.
“Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të krijojmë bazën e nevojshme ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit të para anëtarësimit, apo fondet IPA-3, për programet vjetore IPA 2021-2027. Marrëveshja si e tillë përbënë një marrëveshje kornizë, ndërsa për programet vjetore të veçanta do të lidhim marrëveshje financiare veç e veç për secilin program. Ku do të specifikojmë pastaj projektet, sektorët, fondet dhe modalitetet e zbatimit për secilin prej tyre. Kjo hapë rrugën për të lidhur marrëveshje të tjera për të përfituar nga fondet e BE-së”, tha Bislimi. /InLajmi/