Anëtarët e Vetëvendosjes në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë, kanë kërkuar shkarkimin e 2 anëtarëve me arsyetimin se po mungojnë në mbledhjet e komisionit, raporton InLajmi.
Kërkesën për shkarkimin e Duda Baljes dhe anëtarit nga Lista Serbe, Ljubinko Karagjiq e bëri deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, kërkesë kjo që nxiti polemika e tensione brenda komisionit.
Muja kërkesën e tij e arsyetoi me mungesat e shumta të 2 anëtarëve të komisionit.
“Ne kemi dokumentuar 5 mungesa të deputetes Duda Baljes, dhe i kemi identifikuar 6 mungesa të deputetit të Listës serbe, Ljubinko Karagjiq. Ne i konsiderojmë se janë plotësuar kushtet dhe kështu duhet të përjashtohen nga Komisioni dhe të zëvendësohen me të tjerë”, tha Muja.
Ndaj arsytimit të Mujës reagoi anëtari i komisionit nga PDK-ja, Hajdar Beqa i cili tha se kjo kërkes është puro politike.
“Këto kërkesa nga VV-ja janë puro politike, sepse nuk po votojnë siç dëshironi ju”, tha ai.
Nuk mbeti pa reaguar edhe vet anëtarja e komisionit e përmendur për “përjashtim” Duda Balje e cila tha se kjo kërkesë vjen për shkak se ne nuk i bindemi kërkesave të mazhorancës.
“Partia në pushtet po dëshiron të më largojë nga Komisioni, pasi që nuk po i bindem kërkesave të tyre për të votuar në Kuvend”, tha Balje. /InLajmi/