Individë dhe kompani nga “lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat u sanksionuan nga Uashingtoni për shkak të dyshimeve për krim të organizuar ndërkombëtar, marrin miliona nga buxheti i shtetit serb, tregon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.
Sanksionet e Departamentit të Financave të SHBA-së, të cilat u shqiptuan në dhjetor të vitit 2021 kundër 13 shtetasve të Kosovës me kombësi serbe dhe mbi 20 kompanive të lidhura me ta, nuk janë të detyrueshme për vendet e tjera.
Megjithatë, pas publikimit të “listës së zezë” të Uashingtonit, kompanitë nuk morën punë nga Qeveria e Kosovës, por Beogradi zyrtar bashkëpunon me to.
Serbia, e cila financon institucionet e saj paralele në Kosovë – komuna, shkolla e spitale – që nga vendosja e sanksioneve amerikane deri në korrik të këtij viti, i dha njërës prej këtyre kompanive më shumë se 20 punë, me vlerë mbi 7.5 milionë euro.
Kompania në fjalë është “Rad 028” nga Zveçani – komunë në veri të Kosovës – në pronësi të Radulle Steviqit.
Emri i kompanisë së Steviqit ndodhet në tabelat e ndërtimit në të gjithë veriun e Kosovës, bashkë me stemën e Serbisë.
Për vetëm një ditë, kompanisë së Steviqit iu besua një punë në vlerë mbi 4 milionë euro: ndërtimi i dhjetë objekteve banesore në Mitrovicën e Veriut dhe 2 në Zveçan.
Si Steviq, ashtu edhe kompania e tij janë nën sanksionet e SHBA-së, për shkak të lidhjes së dyshuar me Zvonko Veselinovqin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e etiketuan Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal dhe si njërën nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë, ndërsa Millan Radoiçiqin si zëvendës të tij.
Kompanitë në pronësi të Zvonko Veselinoviqit dhe Millan Radoiçiqit, sipas dokumenteve të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë kontraktuar punë në Kosovë që paguhen nga buxheti i Serbisë, as para dhe as pas sanksioneve amerikane.
Por në Serbi, edhe pas këtyre sanksioneve, atyre iu dhanë punë në vlerë prej miliona eurosh. Pesë kontrata për riparimin e rrugëve lokale në jugperëndim të Serbisë iu dhanë kompanisë së tyre “Novi Pazar put”, ndërsa “Betonjerka Aleksinac” prodhon shtylla për linjat e transmetimit për Kompaninë shtetërore të Energjisë Elektrike të Serbisë.
Nga 10 euro deri në “milionin e parë” – brenda një viti
Çfarë mund të bësh me një mijë dinarë të Serbisë, apo rreth 10 euro?
Me këtë kapital fillestar, Steviq hapi kompaninë ndërtimore “Rad 028” në Zveçan, në janar të vitit 2014, tregojnë të dhënat e regjistrit tregtar të Serbisë.
Dhe, vetëm një vit pasi themeloi kompaninë me kapital modest, ai filloi të fitonte tenderë të mëdhenj. Në numrin më të madh të rasteve, kompania “Rad 028” ishte e vetmja që u paraqit në konkurse të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.
Punët, kryesisht në veri të Kosovës, paguheshin nga buxheti i Serbisë. Vetëm në vitin 2015 janë lidhur kontrata me vlerë gati një milion euro.
Në regjistrin e prokurimeve publike për vitin 2015, në të cilin REL ka pasur qasje, ka punime në vlerë prej së paku 950 mijë eurosh – kryesisht në Mitrovicën e Veriut: nga ndërtimi i banesave në Lagjen e Boshnjakëve, tri shtëpive dhe një çerdheje për fëmijë deri te riparimi i konviktit studentor “Prishtina”.
Bizneset në Kosovë – siç është e rregulluar me vendim të Qeverisë së Serbisë – janë të liruara nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili arrin në 20%
Steviq nuk iu përgjigj as thirrjeve, as mesazheve të REL-it me pyetjen se si ka arritur nga dhjetë euro kapital në punë prej milionash. Pa përgjigje mbeten edhe pretendimet jozyrtare se Steviq është i lidhur me Millan Radoiçiqin dhe Listën Serbe dhe se tenderët në veri të Kosovës manipulohen.
Në pyetjen për tenderët nuk u përgjigjën as Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë dhe as katër komunat nga veriu i Kosovës, të cilat janë pjesë e institucioneve paralele të Serbisë.
Rad” punon për shtetin e Serbisë, kontratat rriten
Të ardhurat e kompanisë “Rad” dhe kontratat me shtetin e Serbisë vazhduan të rriteshin edhe në vitet në vazhdim.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, kompania, nga viti 2016 deri në vitin 2019, ka lidhur marrëveshje në vlerë prej së paku 8.5 milionë eurosh me institucionet paralele në Kosovë, që operojnë në sistemin serb.
Se çdo vit ka qenë “më i mirë” dëshmohet edhe nga bilancet vjetore të atyre kontratave – nga punë me vlerë 573 mijë euro në vitin 2016 në punë prej 5.2 milionë eurosh në vitin 2019, tregojnë të dhënat e ofruara nga Zyra e Prokurimit Publik e Serbisë për Radion Evropa e Lirë.
Qendra studentore “Prishtina” në Mitrovicën e Veriut ka qenë një nga projektet kyçe gjatë atyre katër vjetëve, me investime mbi 685 mijë euro, ndërsa “Rad” ka marrë edhe kontrata të tjera – nga riparimi i rrugëve në veri të Kosovës dhe ndërtimi i apartamenteve deri te prokurimi i pajisjeve kompjuterike për universitetin.
Në dhjetor të vitit 2019, “Rad”-it i është besuar edhe ndërtimi i stadiumit të futbollit në Mitrovicën e Veriut – kontratë në vlerë prej 1.3 milion eurosh
Atë vit, kryetar i klubit të futbollit të qytetit, Trepça, ka qenë Millan Radoiçiq, ashtu si edhe i Federatës së Futbollit të Kosovës në sistemin serb.
Më 26 shtator të vitit 2019, Radoiçiq u zëvendësua nga Goran Rakiq (kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe kryetari i Listës Serbe) në krye të klubit Trepça. Ndërsa, më 28 nëntor të po atij viti, Radoiçiq u largua edhe nga Federata e Futbollit.
Përfundimi i ndërtimit të stadiumit, sipas zyrtarit lokal, Aleksandar Spiriq, është planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2022. Por, në vendin e stadiumit të ardhshëm aktualisht ndodhet një ekskavator, që pastron një livadh. Stadium nuk ka.
Biznesi “lulëzon” gjatë pandemisë së koronavirusit
Pandemia e koronavirusit, me sa duket, nuk e ka ngadalësuar lulëzimin e kompanisë së Steviqit. Raporti financiar i “Rad 028” për vitin 2020, i cili është dorëzuar në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë, tregon të hyra në vlerë prej më shumë se 15 milionë eurosh
E, të dhënat e Administratës së Thesarit të Serbisë, të analizuara nga REL, tregojnë se në atë kohë klienti më i madh i kësaj kompanie ishte shteti i Serbisë. Në vitin 2020, kompanisë i janë paguar së paku 13.3 milionë euro nga arka e shtetit serb.
Sipas të dhënave zyrtare, “Rad 028” ka pasur mesatarisht 17 punonjës atë vit.
Shtatë kontrata me komunat në veri të Kosovës, nga buxheti i Serbisë, janë lidhur edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi, të shpallur për shkak të pandemisë së koronavirusit, përkatësisht në periudhën mars-maj 2020.
Për shkak të pandemisë është shfaqur nevoja edhe për një objekt tjetër – laborator për teste PCR – në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut. Këtë punë, me vlerë prej 100 mijë eurosh, e ka fituar kompania “Rad” pa konkurs.
Mbi 60 kontrata – me vlerë prej së paku 20 milionë eurosh – është bilanci i biznesit të Steviqit me shtetin e Serbisë gjatë vitit 2021, para se Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione kundër tij, më 8 dhjetor.
Kush tjetër është në listën e të sanksionuarve?
Përveç vëllezërve Zvonko dhe Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiqit, si dhe sipërmarrësve të përmendur, Radulle Steviq dhe Sinisha Nedelkoviq, nën sanksionet e SHBA-së janë edhe tetë persona të tjerë.
Në listë është edhe Zhelko Bojiq, ish-shef i operativës së Policisë së Kosovës për veriun, i cili nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhet me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Një tjetër person i sanksionuar, Marko Roshiq, është në mesin e të akuzuarve në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, i cili po gjykohet para gjykatës në Prishtinë.
Departamenti Amerikan i Thesarit ka emëruar edhe gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë që kanë punuar për Veselinoviqin ose në emër të tij: Andrija Bojiq, Sërgjan Vulloviq, Millan Mihajlloviq, Millan dhe Millojko Radisavleviq dhe Radovan Radiq.
Shtohet se grupi kriminal i Veselinoviqit dyshohet se është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë në Kosovë dhe Serbi, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.