Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, si duket ka filluar një turne vizitash në komunat e Kosovës, ndërsa sot ai ka përzgjedhur të vizitoj Komunën e Mitrovicës, komunë kjo e cila udhëhiqet nga Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, përcjell InLajmi.
Para se të takojë kryetarin Hamza, Haradinaj fillimisht ka bërë homazhe tek varri i Isa Boletinit, ndërsa ka thënë se Isa Boletini, reflekton atdhedashuri, trimëri e sakrificë.
Kujtojmë se Isa Boletini ka qenë kryengritës shqiptar në Vilajetin e Kosovës, pjesëmarrës në rini në veprimet e Lidhjes së Prizrenit. U vra gjatë një shkëmbimi zjarri me malazezët në Podgoricë së bashku me 17 shoqëruesit e tij.
Postimi i plotë i tij:
Vizitën e sotme në Mitrovicë e nisa te varri i njeriut i cili identifikoi fatin e tij personal me fatin e Atdheut.
Isa Boletini edhe më tutje i bën roje Kosovës, frymëzon brezat, reflekton atdhedashuri, trimëri e sakrificë.
Madhështia e këtij populli, qëndron në madhështinë e Heronjve të tij! /InLajmi/