Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se deficiti tregtar në muajin qershor është rritur për 30.5% krahasuar me vitin e kaluar, pasi është rritur edhe importi.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 418.1 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 320.4 milionë eurosh në vitin 2021.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin qershor kishte vlerën 74.6 milionë euro, ndërsa importi 492.8 milionë euro, që është një rritje prej 2.4% për eksport dhe 25.3 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24.3 % të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.6% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 14.7 % të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt tjerë prej tyre; 8.6 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.5 % e përbëjnë produktet minerale; 4.2 % artikujt prej guri, allçie, prodhimet e qeramikës dhe qelqit, e të tjera”.
“Ndërsa,sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.4 % të importeve e përbëjnë produktet minerale; 12.8 % të importeve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.4 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.3 % makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.5 % mjetet e transportit; 7.4 % plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.8 % të importeve e përbëjnë produktet e industrisë kimike, e të tjera”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Mes tjerash, ASK-ja bën të ditur se eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 24 milionë euro, ndërsa importet nga 27 vendet anëtare të bllokut arritën në 192.4 milionë euro.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 24 milionë euro, ose rreth 32.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.4 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.0 %, Itali (5.3 %), Holanda (3.6%)”.
“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 192.4 milionë euro, ose 39% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (10.7 për qind), Greqia (5.7 %), Italia (4.3%)”.
Në muajin qershor të këtij viti, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 28.2 milionë euro, ose 37.8 % të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2.8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (13.4 %), Shqipëria (12 %), Serbia (5.8 %) dhe Mali i Zi (5 %).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin qershor arritën në 92.8 milionë euro, ose 18.8 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17.7 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.8 %), Maqedonia e Veriut (5.3 %) dhe Shqipëria (5 %).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 22.3 milionë euro, ose 29.9 % Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: SHBA (13.8 %), dhe Zvicra (7.7 %), njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 207.4 milionë euro, ose 42.1 % Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.1 %) dhe Kina (9.7%)