Kuvendi i Kosovës të premten ka mbajtur seancë të veçantë për nderë të vizitës së presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili mbajti një fjalim para deputetëve kosovarë, raporton InLajmi.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Meta ka kujtuar kohën kur ka ardhur në Kosovë në vitin 2000 ku pati theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë nevojë për marrëdhënie të mirëfillta.
“Kur vizitova Kosovën në dhjetor të vitit 2000 asokohe si kryeministër pata theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë nevojë për marrëdhënie të mirëfillta. Njohja ndërkombëtare nga shumica e vendeve anëtare deri te konfirmimi i Pavarësisë dhe anëtarësimi në shumë organizata rajonale, dëshmon se shteti i ri i Kosovës është shembull edhe për vende të tjera të rajonit”, tha Meta.
Gjithashtu ai tha se populli shqiptar krenohet me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës.
“Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën, gjuha, tradita e zakonet. Kjo lidhje e pandashme i ka dhënë heronjtë më të mëdhenjtë nga Skënderbeu e deri të Adem Jashari. Ky vullnet kërkon devotshmëri politike për të bashkëpunuar në të gjitha rrafshet. Krenohemi me të drejtë për rrugën e kombit. Të krenohemi për lirinë e pavarësinë me vëllezërit tanë. Historia na bënë të krenohemi me luftën çlirimtarë”, tha tutje Meta. /InLajmi/