Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti të premtën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë, përcjell InLajmi.
Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president. Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e Presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet 2 republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të 2-ja vendeve në këtë drejtim.
Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.
Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.
Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike. /InLajmi/