Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi Parlamenti i Shqipërisë me 125 vota pro miratuan Rezolutën kundër raportit të Dick Marty, përcjell InLajmi.
Sipas Krasniqit institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë arritur pjekurinë që të trajtojne pretendime të tilla.
Krasniqi ka thënë së shteti i Kosovës e ka paguar shtrenjtë dhe po e paguan akoma për shkak të kësaj rezolutë e cila ka rezultuar e padrejtë.
Si përfundim i pari i PDK-së ka falenderuar të gjithë deputetët që votuan pro kësaj rezolute.
Postimi i plotë i tij:
E përshëndes miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e cila, në mes tjerash i adresohet Këshillit të Evropës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të përfshira në raportin e ish Senatorit Dick Marty, të cilat pretendime kanë qenë dhe janë shkak i një barre të padrejtë që ka rënduar mbi supet tona si shtet dhe si shoqëri, tashmë më shumë se një dekadë.
Institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë i kanë përmbushur të gjitha obligimet për t’i trajtuar pretendimet e tilla, përkundër se nuk mund të ketë rezultat për diçka që s’ka as bazë as lëndë. Megjithatë, ne kemi paguar e vazhdojmë të ballafaqohemi padrejtësisht me koston e atyre pretendimeve të pabaza, diçka që do të duhej të merrte epilog pikërisht nga Këshilli i Evropës, për ta çliruar të vërtetën e epokës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fabrikimet qëllimkeqe të armiqve të lirisë dhe pavarësisë sonë.
Faleminderit të gjithë deputetëve që unanimisht e votuan këtë Rezolutë, e në veçanti inicuesve dhe hartuesve të saj. /InLajmi/