Imami i Xhamisë së fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha, është rrahur rëndë nga 3 persona, përcjell InLajmi.
Lidhur me këtë ka reaguar Bashkësia Islame e Kosovës, duke thënë se ky sulm ndaj Berishës është një akt i papranueshëm.
BIK-u ka kërkuar nga organet e drejtësisë ti japin vendimet e duhura për rrahjen e Imamit të Podujevës.
Njoftimi i plotë nga Bashkësia Islame e Kosovës:
Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës.
Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar.
Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës.
Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete. /InLajmi