Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Ukrainë edhe 4 sisteme të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS), njoftoi më 20 korrik sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Këtë njoftim ai e bëri pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “detyrat” e ushtrisë së Moskës në Ukrainë shkojnë përtej rajonit lindor të Donbasit.
Austin u tha gazetarëve në Pentagon se Ukraina po i përdor shkëlqyeshëm HIMARS-ët që SHBA-ja i ka dërguar deri më tani dhe ndikimi i këtyre sistemeve po mund të shihet në fushëbetejë.
“Rusia po vazhdon bombardimet e saj të pamëshirshme dhe kjo është një taktikë mizore që të kujton tmerret e Luftës së Parë Botërore. Kështu që Ukrainës i duhet fuqia e zjarrit dhe municionit për t’i bërë ballë kësaj breshërie dhe për t’iu kundërpërgjigjur”, tha ai.
HIMRARS janë sisteme me rreze të gjatë veprime dhe janë më precizë sesa artileria e kohës sovjetike që Ukraina ka në arsenal. Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se përdorimi i këtyre sistemeve të prodhimit amerikan ka qenë thelbësor për të zmbrapsur forcat ruse dhe për të sulmuar linjat e tyre të funizimit.
Më 19 korrik, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha se i ka kërkuar Uashingtonit që t’i dërgojë më shumë sisteme HIMARS, duke argumentuar se forcat e Kievit, duke përdorur këto sisteme, kanë arritur të shkatërrojnë rreth 30 stacione të komandës ruse dhe depo të municionit.
4 sistemet shtesë HIMARS sjellin në 16 numrin e këtyre sistemeve që SHBA-ja i ka dërguar Ukrainës. Austin tha se pakoja e re e armëve do të përfshijë edhe municion për Sistemin e shumëfishtë të raketahedhësve (MLRS), armë që mund të godasë objektiva deri në 80 kilometra, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, SHBA-ja i ka ofruar Ukrainës ndihmë të sigurisë në vlerë të 8 miliardë dollarëve.