17-të ligjvënës amerikanë, duke përfshirë demokraten Alexandria Ocasio-Cortez, u arrestuan dhe më pas u liruan në një demonstratë pro abortit të organizuar në Uashington pranë Kapitolit dhe Gjykatës së Lartë të SHBA.
Politikanët u mblodhën përpara Kapitolit të SHBA përpara se të marshonin drejt ndërtesës së gjykatës, duke brohoritur “trupat tanë, zgjedhja jonë” dhe “ne nuk do të kthehemi më”.
Ata u ulën në mes të rrugës si një akt mosbindjeje civile paqësore, teksa rreth tyre u mblodhën një grup policësh, duke transmetuar një mesazh të regjistruar paraprakisht, ku lajmërohej arrestimi i afërt për bllokimin e rrugës.
“Protestuesit nuk liruan rrugën pas 3 paralajmërimeve të zakonshme të bëra nga policia, duke vazhduar bllokimin e trafikut”, sqaron policia në Twitter.
Më pas oficerët filluan të arrestonin ligjvënësit, duke i lidhur me pranga dhe duke i çuar në një zonë të bllokuar nga rruga.
Në total u arrestuan 35 persona, të cilët më pas u liruan dhe do të duhet të paguajnë gjobë, transmeton A2CNN.
Vendimi historik i Gjykatës së Lartë për të drejtën e abortit ka shkaktuar reagime të forta dhe mjaft emocionale në SHBA.