Ish-ministri Valon Murati e ka bërë të ditur se ka ndërruar jetë profesori Shyqri Kelmendi, përcjell InLajmi.
Murati lajmin për vdekjen e Shyqri Kemndit e ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook, duke thënë se ishte ndër shqiptarët më të ditur në fushën e mineralogjisë dhe xehetarisë.
I ndjeri ishte profesor në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë.
Postimi i plotë i tij:
Paska ndërruar jetë profesori i shquar Shyqri Kelmendi, ndër shqiptarët më të ditur në fushën e mineralogjisë dhe xehetarisë. Profesori përveç kontributit në lëmin e shkencës dhe të mësimdhënies, ka qenë në pozita udhëheqëse menaxheriale dhe së fundi në bordin e përkohshëm të Trepçës. Sigurisht ka qenë ndër njohësit më të thellë të Trepçës, të mundësive të saj dhe rrugës që do të duhej të ndiqte ky gjigand që të shndërrohej në një ndër shtyllat zhvillimore të vendit. Jam me fat që kam bashkëpunuar me të në kohëra të ndryshme dhe kapacitete të ndryshme por edhe që mund ta quaj profesorin mik e shok. Takimet me të kanë qenë çdoherë kënaqësi e veçantë njerëzore por edhe intelektuale. Do të na mungojë të gjithëve intelektuali, profesori, profesionisti i shquar por edhe njeriu me vlera të larta njerëzore. Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve, e ish studentëve të shumtë. /InLajmi/