Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka bërë të ditur se Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti të mërkurën ka vizituar kazermat e FSK-së në Prishtinë, përcjell InLajmi.
Mehaj tha se zhvillimi i FSK-së është njëra ndër prioritetet më kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu ai tha se së bashku me ministrin Hekuran Murati dhe i kanë takuar ushtarët që shërbejnë në kazermat e Prishtinës.
Postimi i plotë i tij:
Zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve të plota të Ushtrisë sonë, krahas rritjes së mirëqenies ekonomike e sociale të ushtarakëve tanë, është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe vet kryeministrit Albin Kurti.
Duke pasur ndër preokupimet kryesore të veprimtarisë qeverisëse, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti sot vizitoi kazermat e FSK-së në Prishtinë dhe Pomazatin.
Në shoqërim të tij dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati, në Kazermën “Adem Jashari” dhe atë në Pomazatin, takuam ushtarakët që shërbejnë në këto kazerma.
Fillimisht, zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, njoftoi lidhur me detyrat dhe angazhimet konkrete të FSK-së për të realizuar objektivat e planifikuara të këtij viti.
Më pas, Kryeministri Kurti i është adresuar me një fjalë rasti ushtarëve dhe oficerëve të pranishëm, ku në fjalën e tij e theksoi rëndësinë e moralit, teknologjisë, armatimit, rëndësisë së trajnimit si dhe me prioritet të lartë, ngritjes së mirëqenies ekonomike dhe sociale në punë dhe atë familjare të ushtarakëve tanë. /InLajmi/