Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, i cili ka gjithsej 19 amendamente, ndërsa ka dhënë dritën jeshile për lexim të 2-të plotësim-ndryshimin e ligjit për themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, raporton InLajmi.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, derisa ka folur për rishishimin e buxhetit, ai ka kërkuar që ai të përfundon para pushimit të deputetëve.
“Kam kërkuar që rishikimin e buxhetit për shqyrtim në seance ta kemi para shkuarjes në pushim një rishikim të buxhetit duke e ditur që inflacioni është gjithmonë në rritje, dhe çdo problem po ndërlidhet edhe me buxhetin e Kosovës. Unë e kam parë të arsyeshme që ne të ngrisim shqetësimin pse s’ka ardhë rishikimi i buxhetit para shkuarjes në pushim. Kërkesat e komunave është që të ketë rishikim, dhe Ministria e Financave nuk ka marrë asnjë hap”, tha Lushtaku.
Ndërkohë që kërkesën e Lushtakut mundohet ta arsyetojë, kryetari i komisionit , njëherësh deputet i Vetëvendosjes Armend Muja i cili bëri të diutur se qeveria ka bërë një rishikim të jashtëzakonshëm.
“Është bërë një rishikim i jashtëzakonshëm dhe aty ka pas një aplikim shtesë. Sa ka qenë ministri këtu ka qenë ideja që të hapet rishikimi edhe për kodet e tjera buxhetore. E kuptoj që mund të jetë një shqetësim. Por në momentin kur ta kem të konfirmuar do ta ndaj me ju”, tha Muja.
Ndërsa lidhur me Shqyrtimin e Raporteve të Komisioneve të Përhershme për Projektligjin nr.08/L-138 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-057 për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, kishte disa fjalë edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i cili shfaqi shqetësimin e tij për punën e komisionit dhe mungesën e terrenit .
“Kisha me e ngritë një shqetësim që ne si komision ende s’kemi mundur të dalim në terren dhe t’i vizitojmë prodhuesit tanë e sidomos ata që kanë eksport më së shumti në Kosovë dhe ata presin që ne t’i vizitojmë”, tha Lekaj.
Në këtë mbledhje ishte paraparë të shqyrtohej edhe kërkesa për financim të Radio Televizionit të Kosovës, e cila së bashku me raportin e shpenzimeve është shtyrë për të mërkurën. /InLajmi/