Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Ukraina tani është e aftë të shkaktojë “humbje të konsiderueshme” ndaj pushtuesve rusë falë një fluksi të armëve moderne perëndimore që po e ndryshon ekuilibrin në fushëbetejë. Këto komente ai i bëri pasi zyrtarët raportuan për sulme me raketa kundër qytetit-port të Odesës që lanë të plagosur disa civilë.
Përmes një video-mesazhi në orët e vona të 18 korrikut, Zelensky njoftoi se janë çliruar nga forcat ruse 1.028 vendbanime dhe 2.621 të tjera janë ende nën kontrollin rus.
Zelensky tha se forcat ukrainase “kanë qenë në gjendje të shkaktojnë humbje të konsiderueshme logjistike ndaj pushtuesit”, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për ushtrinë ruse që të mbajë pozicionet në territoret e kapura.
“Hap pas hapi ne po avancojmë, po i pengojmë furnizimet për pushtuesit, po identifikojmë dhe neutralizojmë kolaboracionistët. Perspektiva është e qartë: flamuri ukrainas do të jetë në të gjitha qytetet dhe fshatrat tona. Pyetja e vetme është koha”, tha ai.
Valeriy Zaluzhniy, komandant i ushtrisë ukrainase, tha se “ardhja me kohë” e artilerisë me rreze më të gjatë, sikurse sistemi i prodhuar në Shtetet e Bashkuara, HIMARS, po ndihmon që të ndryshohet situata në fushëbetejë.
“Ne kemi arritur ta stabilizojmë situatën. Është komplekse, intensive, por krejtësisht e kontrolluar”, tha Zalushniy.
“Një faktor i rëndësishëm që kontribuon në mbajtjen e linjave tona mbrojtëse dhe pozicioneve është ardhja me kohë e M142 HIMARS, sistem që kryen sulme precize ndaj pikave të kontrollit të armikut dhe depove të karburanteve dhe municionit”, shtoi ai.
Kreu i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se “sot ne jemi në një situatë krejt tjetër nga që ishim një muaj më parë. Sot, falë faktit që kemi pranuar armë të mjaftueshme nga partnerët tanë, ne kemi krijuar një siguri në pozicionet tona aktuale”.
Nga administrata ushtarake e rajonit të Luhanskut, kreu i saj, Serhiy Hayday, tha më 19 korrik se “armët perëndimore nuk po funksionojnë 100%, por 200% sepse depot ruse po hidhen në erë”.
Ndërkaq, raketat ruse goditën qytetin-port të Odesës, që gjendet në jug të Ukrainës. Nga sulmet me raketa u plagosën të paktën gjashtë persona, përfshirë një fëmijë, deklaroi më 19 korrik zëdhënësi i administratës ushtarake të Odesës, Serhiy Bratchuk.
Bratchuk tha se Odesa është sulmuar me 7 raketa të llojit Kalibr, që janë hedhur nga Deti i Zi dhe 6 prej tyre kanë goditur zonat e banuara nga civilët.
Një ditë më parë, Rusia kreu sulme ajrore në qytetin lindor të Toreckut, duke vrarë 6 persona.
Më 18 korrik, zyrtarët e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës biseduan për situatën në terren, para takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës që do të mbahet më vonë gjatë javës.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha përmes Twitterit se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, me të cilin kishin diskutuar për kornizën e punës së takimit të Grupit të Kontaktit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Ne u pajtuam për agjendën, ndamë informacione për armët që po vijnë në Ukrainë dhe të tjera. Sekretari Austin kishte disa lajme të mira, por detajet do t’i bëjmë të ditura më vonë”, tha Reznikov, transmeton Evropa e Lirë.Takimi i radhës i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës do të mbahet më 20 korrik. Në takimin e fundit të grupit, që u mbajt në maj, morën pjesë 47 shtete dhe 20 prej tyre njoftuan për paketa të ndihmës në fushën e sigurisë për Ukrainën.