Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa thekson se 2 vendet kanë dëshmuar se e meritojnë shansin për tu bërë pjesë e BE-së, përcjell InLajm.
Tutje ka shkruar Krasniqi se është lajm i mirë që Bashkimi Evropian, pas shumë vonesave, ka vendosur që në Ballkanin Perëndimor të rikthej shpresën dhe optimizmin.
Postimi i plotë i tij:
Urime e përgëzime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një proces më se i merituar për të 2 vendet, të cilat, me punë, angazhim e reforma, kanë dëshmuar se janë gati dhe e meritojnë shansin historik për t’u bërë pjesë e BE-së.
Është lajm i mirë që Bashkimi Evropian, pas shumë vonesave, herë të kuptueshme e herë jo, më në fund ka vendosur që në Ballkanin Perëndimor të rikthej shpresën dhe optimizmin.
Uroj që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë sot, të avancoj edhe me liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës – si një e drejtë themelore dhe e merituar tash e sa vjet. /InLajmi/