Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës të martën ka prezantuar raportin hulumtues “Keqinformimi, dezinformimi dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë”, raporton InLajmi.
Nëpërmjet këtij hulumtimi KMSHK-ja, ka synuar që t’i identifikojë zbrazëtitë profesionale në media që kanë të bëjnë me raportimin etik dhe profesional, të analizojë shkaqet që çojnë në publikimin e përmbajtjeve mediale joetike, si dhe të jep rekomandime për të përmirësuar gjendjen ekzistuese.
Duke folur për etikën jo mediale dhe lajmet e jo reale, Drejtori Ekzekutiv i KMSHK-së, Imer Mushkolaj, ka thënë se lajmet e rreme në portale shpesh janë të frikshme për qytetarët.
“Këto lajme të rreme mund të krijojnë frikë dhe panik te qytetarët. Është problem edhe mungesa e resurseve njerëzore në media. Një mungesë tjetër ka të bëjë me mosbashkëpunimin me verifikuesit e fakteve. Brenda redaksive shpesh mungojnë edhe procedurat e shkruara”, tha Mushkolaj.
Tutje Mushkolaj tha se hulumtimi i bërë do të i’u ndihmoj gazetarëve që të kryejnë punën Brenda etikës profesionale.
“Rekomandimet që kanë dalë nga ky hulumtim janë që të ju ndihmojnë gazetarëve dhe neve si këshill. Edhe institucionet duhet ta kryejnë punën e tyre, si çështja e respektimit të ligjit të punës dhe rastet e sulmeve ndaj gazetarëve”, tha ai.
Rekomandimet e dala nga raporti hulumtues janë:
Akterë të ndryshëm mund të kontribuojnë në forma të ndryshme në luftimin e dezinformimit dhe keqinformimit në shoqërinë kosovare.
Redaksitë duhet të përpiqen t’i respektojnë sa më shumë standardet profesionale dhe etike të të bërit gazetari, gjë që do të minimizonte mundësinë e shpërndarjes së informacionit të rremë.
Mediat në vend duhet t’i demantojnë dezinformatat apo keqinformatat që qarkullojnë në internet, në portale lajmesh ose faqe e grupe të ndryshme në mediat sociale.
Gazetarët duhet ta kenë parasysh që në punën e tyre bën pjesë edhe angazhimi në demaskimin e dezinformatave dhe në luftimin e çrregullimeve informative.
Mediat duhet të punojnë më shumë në verifikimin e fakteve qoftë brenda redaksive, qoftë duke bashkëpunuar me individë ose organizata që merren me verifikimin e fakteve.
Mediat duhet të kenë kujdes më të madh për burimet e informacionit që i shfrytëzojnë, duke synuar burime kredibile dhe të verifikueshme.
Mediat duhet t’i theksojnë të gjitha rastet kur redaktohet/editohet artikulli i caktuar.
Mediat duhet të kenë praktika të qarta të identifikimit të burimeve dhe verifikimit të fakteve para publikimit të lajmit.
Institucionet qeveritare duhet të reagojnë, duke e shtrirë edukimin medial në shoqëri dhe njëherësh duke krijuar ambient sa më të përshtatshëm për gazetari profesionale, si psh. nëpërmjet përmirësimit të implementimit të ligjit të punës apo edhe trajtimit më me seriozitet të rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Kjo do të përmirësonte kushtet për gazetarinë dhe do të luftonte direkt dezinformimin.
Një pajtueshmëri mes anëtarëve të KMSHK-së që të respektojnë kodin etik dhe rritja e transparencës do të kontribuonte në luftimin e dezinformimit nga vetë mediat.
Shtimi i kapaciteve nëpër redaksi (si lektorë e redaktorë), në zinxhirin e prodhimit, redaktimit dhe publikimit të lajmit, do të ndikonte në rritjen e profesonalizmit në media.
Gazetarëve dhe redaktorëve duhet krijuar më shumë mundësi për trajnime që kanë të bëjnë me verifikimin e fakteve, dekonstruktimin e lajmeve të rreme dhe trajtimin e burimeve të dyshimta të informacionit. /InLajmi/