I pari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pasi Maqedonia e Veriut votoi pro propozimeve franceze për integrim në Bashkim Evropian, përcjell InLajmi.
E gjithë kjo sipas Lladrovcit është një hap i madh i shtetit maqedonas pasi kështu mund të arrihet në politikën shtetërore dhe atë evropiane.
Lladrovci është shprehur i lumtur për arritjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa ai tutje kreun e BDI-së, Ali Ahmetin e ka quajtur lider i destinuar për ta dërguar shtetin dhe qytetarët e tij përpara.
Postimi i plotë i tij:
Vëlla Ali,
Votimi i propozimeve franceze në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, është edhe një sukses i madh i Juaji në politikën shtetërore dhe evropiane, ju lumtë. Edhe një gurë historie e vure në vend.
Edhe një nyje u zgjodh në rrugën Tuaj të pandalshme integruese dhe së bashku me Shqipërinë, po ju pret dera e hapur e BE-së.
Aq gëzim për arritjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën integruese, aq dëshpërim për Kosovën dhe vendnumërimin tonë.
Shtetet e rajonit, me lidershipin vizionar, me të gjitha mjetet dhe energjitë po lëvizin drejt Bashkimit Evropian, ne, për fat të keq, me dylbi në dorë, të vetmuar në ishull, me megafon por pa asnjë mjet lundrimi për të dalë nga situata.
Ju jeni lideri i destinuar për ta lëvizur shtetin dhe qytetarët drejt vlerave të reja.
Krenar me përkushtimin Tuaj vëlla Ali! /InLajmi/