Fermerët e Kosovës vitet e fundit kanë rritur prodhimin e trangujve.
Fermeri Kujtim Hoti nga Krusha e Rahovecit ka të mbjellë 65 arë në serrë me këtë kulturë. Ai tha se shitja e kësaj kulture është me leverdi por jo shumë të madhe.
“Por për të arritur deri te vjelja është një proces jo i lehtë”, tha ai në RTK.
Hoti i cili kultivon edhe speca në serrë dhe lakër në fushë të hapur thotë se trangulli është kulturë e vështirë për t’u punuar. Por, kur duhet të mbillet trangulli dhe sa kohë i lypet për t’u vjelë.
“Uji si për njeriun ashtu edhe për ekosistemin është element bazë i mbijetesës dhe zhvillimit. Trangulli është një kulturë e cila fillimisht pas mbjelljes nuk ka nevojë shumë të madhe për ujitje, por kur vjen koha e vjeljes ajo shtohet dhe bëhet detyrë pothuajse e përditshme”, tha fermeri Hoti.
Problematikë mbesin sëmundjet, por, për këtë kulturë, rrezik më të madh se sëmundjet janë insektet. Për t’u mbrojtur nga sëmundjet por edhe për të evituar insektet në bujqësinë jo organike përdoren pesticidet dhe insekticidet.
Fermeri Kujtim Hoti thotë se falë një marrëveshjeje të shitjes me një kompani e cila tashmë eksporton produktin e trangullit në Evropë dhe botë, përdorimi i pesticideve është duke u realizuar në mënyrë më profesionale me një mbikëqyrje të rreptë.