Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht kryesues i radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau, përcjell InLajmi.
Kryetari Konjufca dhe Ministri Rau, gjatë takimit kanë diskutuar për angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e OSBE-së.
Gjithashtu, Konjufca ka thënë se e ardhmja e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Njoftimi i plotë nga Kuvendi i Kosovës:
Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht kryesues i radhës i OSBE-së, Zbignieë Rau
Kryetari Konjufca dhe ministri Rau biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit mes 2 shteteve dhe angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e radhës e OSBE-së. Po ashtu u shkëmbyen mendime rreth punës së legjislativit, progresit që ka shënuar Kosova me ndërmarrjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, demokracisë, sistemit zgjedhor dhe të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunimin e Kuvendit me misionin OSBE-së në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohje për mbështetjen e Polonisë dhe intensifikimin e bashkëpunimit, teksa ritheksoi se e ardhmja e Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Kryetari Konjufca dhe z.Rau shprehën gatishmërinë për të çuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Polonisë. Po ashtu theksuan si çështje me rëndësi strategjike integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Në takim u vlerësua qëndrimi i Republikës së Kosovës kundrejt agresionit të Rusisë në Ukrainë. /InLajmi/




















