Përfaqësuesja nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Rita Berisha, ka thënë së vrasja e Marigona Osmanit, do të mund të parandalohej, nëse institucionet do e kishin kryer siç duhet punën e tyre, për faktin se i dyshuari për vrasjen e saj, Dardan Krivaqa, endej i lirë, me 133 vepra penale në historikun e tij.
“Konsideroj se është sjellë para drejtësisë shumë vonë, jo vetëm për vrasjen e Marigonës, e cila ka qenë vrasje e cila ka mund të parandalohet , nëse institucionet e kishin kryer punën e tyre për të cilat janë të thirrura, mirëpo për shkak se Krivaqa vetëm se ka pasur 133 vepra penale të mëhershme. Ky duhet të jetë ndonjë rekord i ndonjë personi që mund të endet në liri me këtë numër të veprave”, ka thënë Berisha.
“Prandaj konsideroj se vrasja e Marigonës, dhunimi i saj dhe të gjithë ato tortura që ajo ka kaluar, e gjitha ka mund të jetë parandaluar, nëse institucionet, të cilat i kemi ndërtuar si shoqëri për të na ofruar siguri, po refuzojnë me ofru siguri për gra. Kjo tregon se niveli i femicitit dhe jeta e grave në përgjithësi është e rrezikuar non-stop”, u shpreh tutje ajo.
Berisha nga RRGK tha se mosparandalimi i vrasjes së Marigona Osmanit, është dështim insitutcional dhe shtetërorë, tha ajo në Klan Kosova.
“Një person i cili me 133 vepra penale pritet sot të dalë para drejtësisë, është shume vonë, ka mund të parandalohet, por gjë e cila nuk ka ndodhur. Ky është dështim institucional, dështim shtetërorë, I organeve të cilat duhet të ofrojnë siguri për çdo qytetar të Kosovës”, shtoi Berisha.