Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë, Rozeta Hajdari bashkë me Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, kanë mbajtur konferencë për media, ku u diskutua për rritjen e çmimeve të produkteve esenciale, raporton InLajmi.
Ministrja Hajdari, është shprehur e shqetësuar për rritjen e çmimit të bukës duke shkuar në 60 cent në disa vende, duke thënë se teksa kjo çështje duhet adresuar sa më parë.
“Duke e pasur parasysh rritjen e çmimit të bukës, në Prizren, Pejë e disa markete e furra që ka shkuar deri në 60 cent. E dimë që jemi të ekspozuar te importi, por kjo nuk do të thotë qe duhet të lejojmë për një qëllim të një marzhe të fitimit. Kjo është një brengë që duhet ta adresojmë… Ne veç se po e analizojmë situatën më treg, për analizën e çmimeve të produkteve esenciale”, u shpreh ajo.
Gjithashtu ajo shtoi se në disa vende është shtrenjtuar buka, pavarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%”.
“Nga të dhënat e doganës, ndonëse kemi rritje të çmimi në furra të bukës, po çmimet që vijnë në doganë të grurit dhe miellit janë në rënie, 7% zbritje bazuar nga evidenca e doganës. Kjo është konfirmuar edhe nga grupi punues i MINT dhe Ministrisë së Financave.”
Ndërsa, Bashkim Zejnullahu, nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, tha se janë të angazhuar që nevojat për grurë t’i mbulojnë me fermerët vendor, në mënyrë që çmimet të jenë më stabile.
“Jemi të angazhuar dhe duke vështruar situatën, jemi edhe kompetent duke marr parasysh situatën aktuale globale me furnizime esenciale që të kemi një furnizim stabil për tregun e brendshëm. I falënderojmë edhe fermerët tanë që kanë bërë një punë të palodhshme”. /InLajmi/