Ukraina ka shkëputur raportet me Korenë e Veriut më 13 korrik pasi Phenjani njohu 2 territore në lindje të Ukrainës, si territore të pavarura.
“Ne vlerësojmë se ky vendim është përpjekje nga Phenjani për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës.
“Njohja nga Koreja e Veriut e ‘subjektivitetit’ të regjimeve pushtuese ruse në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut është e pavlefshme, nuk do të ketë pasoja ligjore dhe nuk do të ndryshojë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës”, u tha në deklaratë.
Më herët gjatë 13 korrikut, mediat ruse raportuan se Koreja e Veriut ka njohur “pavarësinë” e pjesëve të rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut që janë të pushtuara nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ukrainase po ashtu u dënua vendimi i Koresë së Veriut dhe u tha se në përgjigje të këtij “akti jomiqësor” Ukraina do të shkëpusë raportet diplomatike me Phenjianin. Kontaktet politike dhe ekonomike veçse janë pezulluar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Koresë së Veriut për shkak të programit të saj bërthamor.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, tha se vendimi i Koresë së Veriut më shumë flet për “toksicitetin” e Moskës sesa të Phenjanit.
“Rusia më nuk ka aleat në botë, përveç të atyre shteteve që varen financiarisht dhe politikisht dhe niveli i izolimit të Federatës Ruse shpejt do të arrijë në nivelin e izolimit të Koresë së Veriut. Ukraina do të vazhdojë të përgjigjet ashpër në përpjekjet për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha Kuleba, përcjell REL.
Ambasada e Koresë së Veriut në Moskë ka konfirmuar vendimin e Phenjanit, duke e bërë Korenë e Veriut vetëm vendin e 3-të në botë, pas Rusisë dhe Sirisë, që kanë njohur pavarësinë e 2 entiteteve të Ukrainës në rajonin e Donbasit.