Ish-deputeti i LVV-së, Florin Krasniqi, thotë se Albin Kurti më shumë dëshiron afrim me Evropën dhe Gjermaninë se me Amerikën.
“Gjermania është shtet shumë i mirë dhe mik i Kosovës, por ajo nuk ka fuqi politike. Ajo nuk mund të na liberalizojë as vizat. Amerika është ajo që e ka çlirua Kosovën dhe ka sjellë pavarësinë e Kosovës. Unë nuk e shoh Evropën shpëtimtare të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi ka kritikuar Kurtin në raport me marrëveshjen për energjinë.
“Po të ishin të mira bateritë, Amerika do t’i mbante ato për vete. Amerika nuk e ruan energjinë në bateri”.
Ai thotë se takimet e Kurtit në SHBA nuk ishin të dinjitetshme.
“Kjo ka ndodhur pasi që Albin Kurti ka acaruar raportet me Amerikën. Kosova dhe SHBA kanë raportet më të ulëta. Nëse ambasadori i SHBA takon shpesh Kurtin kjo nuk do të thotë se raportet janë të mira”, shtoi Krasniqi.
Ish-deputeti thotë se është fat që Kosova është bërë shtet pasi sipas tij të njëjtin fat nuk e kanë pasur edhe disa popuj tjerë.
“Amerika e ka ngrehë zhag Evropën për ta bombarduar Serbinë. Kurdët janë disa milionë e nuk bëhen shtet. Baskët janë populli më i vjetër në Evropë e nuk kanë shtet”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi ka kërkuar ndryshime thelbësorë në raport me Amerikën, tha ai në RTV Dukagjini.
“Qeveria duhet të ndryshojë urgjentisht relacionin me Amerikën, ose të shkojë në shtëpi. Qytetarët duhet ta kuptojnë se pa Amerikën ne nuk mundemi me ekzistua si shtet. Relacionet me Amerikën janë duke u degraduar”, deklaroi Krasniqi.