Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar sot NATO-n se pas propozimit të Kryeministrit Edi Rama për të ndërtuar një bazë ushtarake të aleancës në portin e ri të Durrësit, fshihet një “aferë korruptive”.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, ka thënë se “informojmë NATO-n se, prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës”
“Këto ditë Edi Rama ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur, se NATO ka treguar interes për të ndërtuar në Porto Romano një port ushtarak. Partia Demokratike deklaron se, ka mbështetur dhe mbështet plotësisht bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me NATO-n, si vend anëtar i saj, dhe çdo projekt, në det, tokë dhe ajër, që i nevojitet Aleancës së Atlantikut të Veriut në territorin e Shqipërisë. Ne, gjithashtu, informojmë NATO-n se, prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëravjeçar të Durrësit për në Porto Romano”, tha Garo.
“Ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie, në kundërshtim me çdo rregull, 1 milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit. Sipas Ramës ky do të jetë truall për ndërtime si në Dubai City. Kjo marrëveshje, në të cilën dyshohet se kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive”, ka shtuar Garo.
Sipas saj, gjendja aktuale e forcave të armatosura të Shqipërisë ka probleme tejet serioze, të cila lidhen para së gjithash me pagat e ulëta të ushtarakëve, mos investimin në infrastrukturë dhe buxhetin tejet të ulët të kësaj qeverie për ushtrinë. Kjo në kundërshtim me standardet e NATO-s.
Videon e konferencës për shtyp e ka publikuar Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kujtojmë se më 13 korrik Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do takohet me kryeministrin Edi Rama në Bruksel. Takimi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Aleancës, shkruan Telegrafi.
Pak ditë më parë kryeministri Rama paralajmëroi vizitën mes sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, ku siç tha do të diskutohet lidhur me bazën e re të NATO-s në portin e Durrësit.