Sipas “Sportitalia”, Monza ka bërë një ofertë për të nënshkruar me Luis Suarez si lojtar i lirë.
Skuadra e sapopromovuar në Serie-A është në kërkim të një qendërsulmuesi të ri dhe raportet në Itali e kanë lidhur klubin e Silvio Berlusconit me sulmues të mëdhenj si Mauro Icardi, Paulo Dybala, Edinson Cavani dhe Luis Suarez.
Drejtori i klubit Adriano Galliani raportohet se ka kontaktuar drejtpërdrejt me uruguaianin, duke i ofruar atij një marrëveshje prej 5 milionë euro në vit.
Suarez iu afrua Juventusit në verën e vitit 2020, por bardhezinjtë iu drejtuan Alvaro Moratas përpara fillimit të hetimeve mbi parregullsitë e supozuara në testin e nënshtetësisë italiane të Suarez.
Suarez është në dispozicion si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Atletico Madridin. 35-vjeçari thuhet se ka refuzuar një ofertë nga River Plate dhe po shqyrton propozimin e Gallianit, shkruan indeksonline.
Monza ka ecur me shpejtësi me transferime, pasi tashmë ka siguruar shërbimet e Alessio Cragno, Andrea Carboni, Stefano Sensi, Matteo Pessina, Andrea Ranocchia dhe Samuele Birindelli.