Enver Smakiqi, polici i lënduar të shtunën në Skenderaj gjatë orarit të punës nga familjarë të ish-nënkryetarit, Nuredin Lushtakut ka folur ekskluzivisht për Gazetën Insajderi.
Ndonëse nuk u lëshua shumë në komente, Smakiqi konfirmoi se gjendja e tij shëndetësorë është më e mirë.
Përkundër zërave se ai ka pasur telashe në të kaluarën me familjen Lushtaku, ky i fundit po e mohon se ka ose ka pasur ndonjë herë problem me Lushtakët.
“Më mirë jam. Unë as nuk kam pasur as nuk kam kurgjo me familjen Lushtaku, kam qenë duke e kry punën zyrtare sen nuk kam pasur as skam kurgjo”, ka deklaruar ai për Insajderin.
I pyetur për detaje tjera se nga kush është lënduar ose nëse është lëshuar nga spitali, Smakiqi ka refuzuar të jap përgjigje duke thënë “Ju kërkojë falje, janë organet të cilat mund të ju informojnë”.
Ditë më parë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku e akuzoi policin Smakiqi për maltretim ndaj djalit të tij, Arbërit.
“Polici Enver Smakiqi pasi ka shqiptuar një gjobë ka vazhduar duke maltretuar fizikisht djalin tim Arberin. Unë kam qenë duke u kthyer në shtëpi me 2 vëllezërit e mi dhe e kam parë djalin me veturë ndalur, ku jemi ndalur të shikojmë se çka është problemi, por sjelljet e policit Enver Smakiqi kanë qenë jashtëzakonisht jo normale dhe të dhunshme”, ka deklaruar Lushtaku.
“Ka qenë një gjendje jashtëzakonisht stresuese dhe kokën e ka pas të lidhur me fasha, sipas tij i ka 5-6 lëndime dhe në secilin lëndim ka qepje”,tha kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja?
Në mbrëmjen e 2 korrikut, rreth orës 23:55, 2 policët Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci kanë mbetur të plagosur gjatë orarit të tyre të punës. Sulmi ndaj zyrtarëve policor dyshohet se ndodhi për shkak se Arbër Lushtakut, djalit të Nuredinit iu shqiptuar gjobë trafiku.
Për rastin në natën kritike kishin dhënë detaje edhe Policia e Kosovës, derisa kishin konfirmuar se njëri polic ishte plagosur me armë zjarri në këmbë e tjetrit ishte lënduar me mjet të fortë.
Ndërkohë, ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së, Nuredin Lushtaku, ka konfirmuar prezencën e tij në stacionin policor lidhur me dyshimin se ka sulmuar 2 zyrtarë policorë mirëpo nuk ka dhënë detaje, të cilat thotë se do t’i japë pas përfundimit të hetimeve.
Për rastin ka reaguar edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.
Ai të dielën e ka dënuar plagosjen e 2 policëve në Skenderaj, ku i dyshuar është Nuredin Lushtaku, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se “policët duhet të jenë të paprekshëm dhe të papenguar”.
“Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e republikës”, ka shkruar ai.
Tanimë, Nuredin Lushtakut, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.