Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar 32 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese për Kosovën, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se në përkujtim të 2 korrikut të vitit 1990, nderojmë të gjithë ata burra dhe gra që në një moment të ndryshimeve kapitale politike, e bënë një hap të guximshëm për t’i hapur rrugë realizimit të vullnetit politik të popullit.
Tutje ai shprehu respekt e mirënjohje për të gjithë delegatët e Kosovës që në kushte e rrethana të vështira i dhanë orientim të ardhmes së pashmangshme të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
32 vjet më parë, përkundër kushteve të një shtetrrethimi policor nga ana e regjimit serb që mbante peng ndërtesën e Kuvendit, delegatët e popullit të Kosovës, të palëkundur nga vendosmëria, e shpallën Deklaratën Kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë me Republikat e tjera të ish Jugosllavisë. Ishte ky një akt themeltar që do t’i paraprinte Kushtetues së Kaçanikut, 2 shtylla këto që janë prelud i vullnetit të popullit tonë për liri dhe pavarësi.
Në përkujtim të 2 korrikut të vitit 1990, nderojmë sot të gjithë ata burra dhe gra që në një moment të ndryshimeve kapitale politike, e bënë një hap të guximshëm për t’i hapur rrugë realizimit të vullnetit politik të popullit tonë dhe për ta bërë këtë rrugë të pakthyeshme – rrugë e cila ishte me plot sakrifica e që kulmoi me sakrificën sublime të popullit tonë, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Respekt e mirënjohje për të gjithë delegatët e Kosovës që në kushte e rrethana të vështira, sot 32 vjet më parë, i dhanë orientim të ardhmes së pashmangshme të Kosovës, si shtet i lirë, demokratik e i pavarur./InLajmi/